Prej dy ditësh gjendja mjedisore në qytetin bregdetar të Durrësit paraqitet mjaft e rënduar, pasi mbetjet urbane nuk janë mbledhur nga mjetet e ndërmarrjes së pastrimit të bashkisë. Shkak është mungesa e një landfilli. Qytetarët janë të shqetësuar nga gjendja e krijuar dhe rreziku i kthimit të mbetjeve, që kanë pushtuar trotuaret, në vatra infeksioni. “Kanë dy ditë që nuk i heq njeri dhe kundërmojnë erë. Është bërë shumë problem dhe këtu është qendra e Durrësit. Imagjino çfarë ndodh në lagjet e tjera. Duhet të merret një vendim sa më shpejt pasi nuk mund të jetohet kështu. Është e papranueshme.”