Nuk ka asnjë ndryshim dita e sotme me atë të një viti më parë. Në 12 gushtin e vitit të kaluar, Shqipëria në shuma zona të saj ishte në flakë dhe ushtarë e vullnetarë, me mjete edhe rrethanore luftonin për të vënë nën kontroll situatat, që ishin tejet të vështira. Nga Shkodra e deri në Vlorë, vatrat e zjarrit po bënin kërdinë me masive të tëra pyjesh e shkurresh dhe sapo vihej nën kontroll njëra prej tyre, të tjera flakë skuqnin qiellin e Shqipërisë. Forca ushtrie, zjarrfikëse, e në disa raste banorë të zonave ishin në operacione shpëtimi, por temperaturat e larta të një viti më parë, ashtu si edhe tani, nuk jepnin asnjë shpresë për shuarjen. Zjarret vazhduan të përpijnë qindra hektarë pyje në Shqipëri, duke rrezikuar edhe zonat e banuara dhe tokat bujqësore. Rritja e temperaturave në muajin gusht u shoqërua vitin e kaluar edhe me shtimin e vatrave të zjarrit në sipërfaqet pyjore dhe ato me shkurre të një pjese të mirë të vendit. Si sot një vit më parë, pra në 12 gushtin e vitit 2021 janë shënuar 28 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit, prej të cilave 20 u shuan, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile.