Prej 30 vitesh banorët e lagjes numër 1 në qytetin e Rrogozhinës kalojnë pranë pellgjeve me ujëra të zeza. Mungesa e kanalizimeve bën që këto ujëra prej 30 vjetësh të derdhen jashtë në rrugë. Për banorët kjo situatë është shqetësuese. Më e rendë është situata në verë kur era kutërbuese u shkakton edhe probleme në frymëmarrje. Disa nga banorët kanë gjetur zgjidhje duke hapur gropa septike por dhe kjo nuk rezulton shume pozitive pasi dhe kosto është goxha e lartë. Një tjetër bombë ekologjike eshte dhe kanali vaditës Peqin kavajë që kalon në këtë lagje, i tejmbushur me plehra që në disa vende bashkohen me ujërat e zeza.