Veliaj inspekton punimet për ndërtimin e Rrugës “Faik Konica”

17/08/2017

Në mënyrë që kryeqyteti të zhvillohet me të njëjtin hap në të gjitha pikat e tij, Bashkia Tiranë po ndërhyn me punime në disa pika njëherësh.

Një prej tyre është edhe rruga “Faik Konica” në zonën pranë Qytetit Studenti të cilën kreu i bashkisë Erion Veliaj e cilësoi si një prej projekteve më komplekse.

“Në rrugën “Faik Konica” kemi ndoshta një nga projektet më të komplikuara të bashkisë sepse ndër vite nuk janë respektuar distancat, nuk është përditësuar rrjeti nëntokësor. Pasi zbuluam që kishim një rrjet totalisht të amortizuar uji, që të parandalojmë në të ardhmen situata si ato që kemi te Astiri, ku ndërtimet janë bërë pa shtuar kapacitetin e rrjetit, kemi bërë një shtesë të rrjetit të prurjeve të ujit, të kanalizimeve, të gjithë rrjetit elektrik, telefonisë dhe internetit”, tha Veliaj.

Të gjitha investimet e bashkisë, tha Veliaj, ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e vlerës së pronës, ndaj kërkoi bashkëpunimin e banorëve për të liruar hapësirat e zëna në mënyrë që puna të ecë me ritme të shpejta.

“Sa më shumë bashkëpunim të kemi, aq më shpejt mund të ecim me këtë punë. Komunitetet që kanë bashkëpunuar, kanë afruar avllitë, ia kanë parë hajrin këtij bashkëpunimi sepse puna ka mbaruar në kohë rekord. Të shikojmë se si do t’i rritet vlera kësaj prone falë këtij investimi, por edhe faktit që stadiumi “Qemal Stafa” është konceptuar si një qendër tregtare, si një hapësirë për aktivitete të ndryshme dhe ekskluzivisht pedonale”, shtoi Veliaj.

Së bashku me investimet e tjera në zonë, Qyteti Studenti po merr formën e një tjetër qendre të Tiranës, tha Veliaj.

 “Po e kthejmë zonën e Qytetit Studenti në një nga poliqendrat e Tiranës, ashtu si Kinostudio, Lapraka, Kombinati. Zona e Qytetit Studenti, në kufi me parkun e madh të Tiranës, do të jetë një nga zonat më të lakmuara”, deklaroi kryebashkiaku.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.