“One Billion Project”, Kryeministri fton biznesin

31/01/2017

“One Billion Project” është projekti i ndërtimit të infrastrukturës së munguar në vlerë 1 miliardë euro prezantuar nga qeveria shqiptare, përmes së cilit synohet ndërhyrja në infrastrukturën rrugore, në arsim, shëndetësi dhe kulturë.

Kryeministri Rama tha se qytetarët nuk do të paguajnë asnjë qindarkë për këto vepra publike, ndërsa shpjegoi mënyrën sesi do të funksionojë Partneriteti Publik-Privat për to.

“Bëhet fjalë për një numër veprash publike në shkolla infrastrukturë rrugore, qëndra shëndetësore ekselence që mungojnë, që në kushtet e buxhetit të shtetit, do të mund të ndërtoheshin në 10-13 vjet. Duke thithur kapitalin privat, ne i ndërtojmë në 2-3 vjet dhe i paguajmë në 10-15 vjet sipas kontratave, sipas buxhetit të shtetit, pa futur dorën në asnjë qindarkë tek qytetarë. Ky është ndryshim nga e kaluara”, tha Rama.

Teksa ftoi sipërmarrjen private dhe bankat për të investuar në realizimin e këtyre projekteve, Kryeministri tha se bashkëpunimi me biznesin ka më pak risk.

“Ju themi juve, hajdeni, investoni dhe ne do jua shlyejmë këto para hap pas hapi pa marrë borxh. Se ka edhe kështu, merr borxh e bëje vetë. Në këtë treshe, e vërteta është se biznesi ka më pak rrisk se banka e buxheti. Sipërmarrja vetëm të zbatojë kontratën, ska asnjë rrisk. Duam që kompanitë të hyjnë me një tarifë 20% që dy vitet e para ta financojnë vetë punën se ndryshe nuk del llogaria dhe shteti nga viti 3 të fillojë të shlyejë detyrimet. Është formulë e thjeshtë dhe fituese”, u shpreh ai.
 
Projekti i parë, pjesë e këtij programi, për të cilin kanë nisur procedurat është Rruga e Arbrit, që siç Kryeministri premtoi gjatë fushatës në Dibër, pritet të nisë në muajin qershor. 

Ministri Ahmetaj bëri publike detajet e këtij program që synon rritjen e ekonomisë kombëtare dhe që nuk prek në asnjë moment borxhin publik.

“Ka shumë avantazhe si instrument, së pari nuk prek borxhin public se shteti hyn në mardhënie kontraktuale me partnerin privat. Asnjë nga këto projekte nuk e cënon borxhin public, nuk e rrit por trajektorja do ulet dhe aktiviteti mbështetës me pagesën vjetore, do bëhet Brenda një kuadri nominal dhe relative Brenda llogarisë së përgjithshme të buxhetit të shtetit. Ka ndikim të shpejtë ekonomik dhe social. Kthesa ekonomike e shqipërisë, sot e lejon qeverinë të kalojë në këtë fazë të mbështetjes dhe ofrimit për sipërmarrjen që të investojë 1 mln euro në 2-3 vitet e ardhshme”, u shpreh ai.

Qeveria projekton që falë të ardhurave në buxhetin e shtetit nga detyrimet që do të vilen nga këto projekte, rritja ekonomike në 2-3 vitet e ardhshme të arrijë 5 përqind.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.