Ankimi i Lefter Kokës në “Kushtetuese” për procedurat e vendimit të Gjykatës së Lartë në 2023-in, ja kur pritet të mbahet seanca

26/04/2024 14:31
Lefter Koka

Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 14 maj në orën 12:00 për mbajtjen e seancës ku do të shqyrtohet ankesa e ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka mbi procedurat e seancës gjyqësore të Gjykatës së Lartë në vendimin e marrë në shkurt të 2023-it, ku u vlerësua i ligjshëm arresti i tij me burg për inceneratorin e Elbasanit dhe të Fierit.

Në ankimin e depozituar, Koka kërkon shfuqizimin e vendimit të marrë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë që rrëzoi kërkesën e bërë për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” të marrë nga Apeli i GJKKO më 5 janar 2023. Sipas Kokës, vendimi i marrë është i papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë.

Po ashtu kërkohet shfuqizimi i vendimit të marrë dhe dërgimi për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Kujtojmë se ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka është dënuar me 5.8 vite burg për pastrim parash dhe korrupsion lidhur me aferën e inceneratorit të Elbasanit.

Top Channel