Sikurse në inceneratorin e Fierit, edhe për inceneratorin e Elbasanit, Lefter Koka u deklarua fajtor nga Gjykata e Posaçme.

Nga tre akuza që i rëndonin edhe në këtë dosje, ish ministri i Mjedisit u cilësua i pafajshëm vetëm për shpërdorim detyre. Kurse për dy veprat e tjera të pastrimit të parave dhe të korrupsionit u dënua me 5 vjet e 8 muaj burgim si dhe me 5 vjet heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike.

Në ngarkim të kësaj çështjeje Lefter Kokës i konfiskohen aksione nga kantina e verës sipas vlerës që ka kryer korrupsion së bashku me kompanitë ‘Pivot’ dhe ‘Silvi’.

Të gjitha sekuestrot ndaj apartamenteve u shfuqizuan. Ish sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako u konsiderua i pafajshëm nga gjykata dhe u urdhërua lirimi i tij i menjëhershëm, në rast se nuk mbahet për vepër tjetër penale tha trupa gjyqësore.

Për shkak se ai është dënuar për shpërdorim detyre në dosjen e Fierit dhe ka marrë 2 vjet e 8 muaj burgim, u takon avokatëve të llogarisin kohën se kur ish zyrtari duhet të kërkojë lirinë.

Dënimet e gjykatës u ndoqën drejtpërdrejtë vetëm nga dy prej të akuzuarve, Pëllumb Abeshi dhe Serafin Papa që u dënuan për shpërdorim detyre.

Klodian Zoto  u dënua me 6.8 vjet burgim dhe  të njëjtën masë dënimi mori edhe  Mirel Mërtiri, kurse Stela Gugallja u dënua me 4.8 vjet burg.

Për dy të akuzuar të tjerë, Bardhul Çabiri i dënuar me 2 vjet u urdhërua shuarja e masës dhe për Serafin Papa i dënuar me 1.4 vite burg, u vendos shuarja e masës së arrestit shtëpiak.

Pëllumb Abeshi u shpall fajtor dhe u dënua me 2.8 burg, ndwrsa  Jonida Zeqo u shpall fajtore dhe u dënua me 2.8 vite burg.

Nga ana tjetër kompanitë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services”  janë konfiskuar dhe kanë kaluar në favor të shtetit, por u heq sekuestro për dy shoqëritë tregtare “J.P.V.” e “Bio Blend Fruit”.

Lista e plotë e të dënuarve:

Lefter Koka, i pafajshëm për veprën “shpërdorim i detyrës”, fajtor për veprat penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim. Dënohet me 8 vite e 6 muaj, në aplikim të gjykimit të shkurtuar rezulton në 5 vite e tetë muaj.

Pëllumb Abeshi, fajtor për veprën “shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, dënohet me 4 vite burg, me uljen e 1/3 dënohet me 2 vite e 8 muaj burg.

Bardhul Çabiri, dënohet me 2 vite burg për veprën “shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim. Sipas vendimit të GJKKO-së, ai është liruar nga burgu, vetëm nëse nuk vuan ndonjë vepër tjetër.

Mirel Mërtiri u deklarua fajtor për veprën “korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim. U dënua me 10 vite burg, por me gjykimin e shkurtuar 6 vite e 8 muaj.

Stela Gugallja u deklarua fajtore për veprën “korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim. U dënua me 7 vite burgim, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar ajo dënohet me 4 vite e 8 muaj burg.

Klodian Zoto u deklarua fajtor për veprën “korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim. Në total u dënua me 10 vite, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënohet me 6 vite e 8 muaj burg.

Serafin Papa dënohet 2 vite burg, por me gjykimin e shkurtuar shkon në 1 vit e katër muaj burg për veprën “shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, sipas GJKKO-së, në bazë të nenit 261/1  dhe 389 të K.Pr. Penale caktohet shuarja e veprës penale.

Jonida Zeqo dënohet me 4 vite burg, për veprën penale “shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, por me gjykimin e shkurtuar i mbetet 2 vite e 8 muaj. Të dënuarës do t’i mbahet në konsideratë edhe koha e vuajtur me “masën arrest në shtëpi”. Zeqos i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Tre prej të dënuarve për aferën e inceneratorit të Elbasanit vuajnë dënimin edhe për inceneratorin e Fierit.

Kujtojmë se më 25 shtator u dhanë vendimet për inceneratorin e Fierit, ku ish-ministri Koka dënua me 10 vite burg që në aplikim të gjykimit të shkurtuar zbret në 6 vite e tetë muaj.

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqo Bllako u shpall i pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre të funksionarit”, por iu rikualifikua vepra në “shpërdorim detyre të nëpunësit”. GJKKO vendosi dënimin me katër vite, por me zbritjen e një të tretës së dënimit shkon në 2 vite e tetë muaj burg. Biznesmeni Klodian Zoto u shpall i pafajshëm për akuzat e “korrupsionit aktiv” dhe u dënua me 2 vite burg për “korrupsion pasiv” plus shtatë vjet “skema mashtruese” plus tetë vjet “pastrim parash”. Në përfundim u dënua me 12 vjet burg që në aplikim të gjykimit të shkurtuar zbret në 8 vite burg.

Top Channel