Emra të koduar dhe përgjime sekrete/ Media serbe: Deri në 200 persona u mbajtën nën mbikëqyrje, synohej shpërbërja e Lëvizjes Studentore
Vendosja e mozaikut kushtuar Nënë Terezës në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka shkaktuar përplasje mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Ekonomisë, pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës për ndalimin e punimeve.
Sipas mediave në Kosovë, mozaiku me sipërfaqe prej 33 metrash katrorë ishte parashikuar të vendosej në murin e jashtëm të ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar skandaloze ndërhyrjen e policisë, ndërsa Ministria e Ekonomisë ka akuzuar Komunën për ndërhyrje të paautorizuar në objektin e saj dhe mosrespektim të vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve.
Përparim Rama: Policia të identifikojë personin që dha urdhrin
Kryetari i Prishtinës deklaroi se Komuna, si institucioni kompetent për lëshimin e lejeve për hapësirat publike në kryeqytet, kishte dhënë lejen e nevojshme për vendosjen e mozaikut.
Sipas tij, ndërhyrja për ndalimin e punimeve është bërë pa një vendim të publikuar, me pretendimin se urdhri kishte ardhur “nga lart”.
“Skandaloze! Kujt i përgjigjet shteti ynë? Urdhrave politikë?! Policia duhet ta sqarojë publikisht këtë deklaratë, ta identifikojë personin që dha urdhrin dhe ta bëjë publik vendimin mbi të cilin veproi!”, shkroi Rama.
Ministria e Ekonomisë: Komuna ndërhyri në mënyrë të paligjshme, ndaj njoftuam policinë
Në reagimin e saj, Ministria e Ekonomisë bëri të ditur se kishte qenë ajo që kishte njoftuar Policinë e Kosovës për ndalimin e punimeve.
Sipas Ministrisë, më 28 shtator 2026, Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prishtinës kishte dhënë pëlqimin për realizimin e projektit, ndonëse objekti nuk është në pronësi dhe as nën menaxhimin e Komunës.
Ministria e cilëson këtë pëlqim të kundërligjshëm, duke theksuar se dokumenti nuk ishte nënshkruar nga drejtori i drejtorisë përkatëse dhe se institucionet përgjegjëse nuk ishin konsultuar paraprakisht.
Sipas kronologjisë së paraqitur nga Ministria, më 20 nëntor, përfaqësuesit e Komunës, nëpërmjet një kontraktori privat, kishin larguar banerin informues nga ndërtesa e Ministrisë, duke shkaktuar dëme materiale dhe pa marrë masat e nevojshme për sigurinë e qytetarëve.
Pavarësisht vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve, sipas Ministrisë, përfaqësuesit e Komunës ishin paraqitur sërish më 27 nëntor, rreth orës 06:00 të mëngjesit, me një vinç për të vazhduar punimet.
Ministria theksoi se nuk e kundërshton realizimin e veprës artistike kushtuar Nënë Terezës, por mënyrën se si Komuna ka vepruar.
“Çështja në fjalë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e veprës artistike, por me mënyrën e ndërmarrjes së veprimeve nga Komuna e Prishtinës përmes kontraktuesve, mungesën e komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional, dëmin e shkaktuar ndaj institucioneve shtetërore, si dhe respektimin e vendimeve të organeve kompetente”, thuhet në reagim.
Ministria i ka kërkuar Komunës së Prishtinës të respektojë vendimin e Prokurorisë deri në përfundimin e hetimeve dhe marrjen e një vendimi përfundimtar gjyqësor.

Top Channel