Ambasada e SHBA-së paralajmëron shtetasit amerikanë para protestës: Shmangni zonat pranë institucioneve qeveritare

27/11/2026 20:22

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka publikuar një njoftim sigurie, duke paralajmëruar për vijimin e protestave në kryeqytet gjatë datave 28 dhe 29 nëntor 2026.

Sipas deklaratës së ambasadës, demonstratat pritet të zhvillohen në qendër të Tiranës dhe në zonat pranë institucioneve qeveritare, duke sjellë bllokime rrugësh, devijime të trafikut dhe kufizime të qarkullimit.

Në njoftim theksohet se disa prej protestave kanë degjeneruar në episode të dhunshme, ku janë përdorur mjete ndezëse, janë hedhur gurë dhe janë dëmtuar prona.

Ambasada paralajmëron gjithashtu se personat që ndodhen në afërsi të tubimeve mund të ekspozohen ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarrëve të lëshuar në drejtim horizontal, mjeteve ndezëse dhe predhave prej gome.

Për shkak të situatës, Ambasada Amerikane ka këshilluar personelin e saj të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstratat.

Në mesazhin e sigurisë, qytetarëve u kërkohet të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin protestat, të qëndrojnë të informuar përmes mediave lokale dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve policore.

Gjithashtu, rekomandohet që të kenë një plan emergjence dhe daljeje në rast rreziku, të jenë të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth dhe të shmangin ekspozimin e panevojshëm në publik.

Paralajmërimi vjen në një kohë kur kryeqyteti pritet të përballet me tubime dhe protesta gjatë fundjavës së 28 dhe 29 nëntorit.

Top Channel