Numri 112, Qeveria miraton sistemin e ri të emergjencave në Shqipëri: Përveç telefonatave komunikim edhe me mesazhe, shërbim në dy gjuhë

27/11/2026 18:50

Qeveria ka miratuar rregullat për ngritjen dhe funksionimin e sistemit të unifikuar të thirrjeve emergjente 112.

Sistemi do të funksionojë 24 orë në 24, gjatë gjithë vitit, do të mundësojë lokalizimin e telefonuesve përmes teknologjisë AML dhe komunikimin me SMS e video për personat me aftësi të kufizuara në dëgjim ose të folur. Koordinimi dhe administrimi i tij do të jetë përgjegjësi e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Numri i emergjencave 112 do të funksionojë mbi bazën e një sistemi të centralizuar, i cili synon të përmirësojë marrjen e telefonatave, identifikimin e vendndodhjes së qytetarëve dhe koordinimin e shërbimeve që ndërhyjnë në situata emergjente.

Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, sistemi do të ofrojë shërbim të pandërprerë 24/7, në gjuhën shqipe dhe angleze, duke shërbyer si pikë e unifikuar komunikimi për qytetarët që kanë nevojë për ndihmë urgjente.

Përgjegjësia për koordinimin, drejtimin, mbikëqyrjen, kontrollin dhe administrimin e sistemit i është ngarkuar Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Një nga elementet e rëndësishme të sistemit të ri është mundësia e identifikimit të vendndodhjes së personit që telefonon numrin 112.

Vendimi parashikon përdorimin e teknologjisë AML (Advanced Mobile Location), e cila mundëson përcaktimin e pozicionit gjeografik të telefonuesit përmes pajisjeve inteligjente me sistem operativ Android dhe iOS.

Gjithashtu, sistemi do të mundësojë marrjen e të dhënave të vendndodhjes edhe përmes infrastrukturës së rrjeteve telefonike fikse dhe të lëvizshme. Kjo teknologji synon të lehtësojë identifikimin e vendit ku ndodhet qytetari, veçanërisht në rastet kur ai nuk është në gjendje të japë një adresë të saktë.

Një tjetër risi e parashikuar është mundësia e komunikimit me mesazhe SMS dhe forma të tjera komunikimi me tekst, përfshirë videon, kur kjo është teknikisht e mundur. Këto alternativa synojnë të lehtësojnë aksesin në shërbimin 112 për personat me aftësi të kufizuara në dëgjim ose të folur, të cilët mund të kenë vështirësi në komunikimin përmes telefonatave zanore.

Sipas vendimit, çdo telefonatë drejt numrit 112 do të regjistrohet dhe do të ruhet në një databazë për referenca të mëvonshme. Të dhënat do t’u vihen në dispozicion organeve ligjzbatuese në rastet kur ato kërkohen nga autoritetet përkatëse.

Ndërkohë, operatorët e sistemit do të kenë detyrimin të identifikojnë llojin e emergjencës dhe vendndodhjen e telefonuesit, për të mundësuar lidhjen e drejtpërdrejtë me shërbimin përgjegjës.

Ata do të ndjekin edhe vijimësinë e komunikimit deri në stabilizimin e kontaktit ndërmjet qytetarit dhe institucionit që ofron ndihmën. Sistemi 112 do të komunikojë me sallat operative të institucioneve të tjera shtetërore që kanë përgjegjësi për dhënien e asistencës në situata emergjente. Në rastet kur kërkohet ndërhyrja e disa institucioneve njëkohësisht, sistemi do të mundësojë koordinimin e tyre.

Top Channel