Fermerët krahas rritjes së prodhimi bujqësor vendas synojnë edhe arritjen e standardeve më të mira evropiane, me qëllim zgjerimin e eksporteve të sigurta në tregjet e huaja. 32 ferma bujqësore kanë aplikuar në Skemën Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi 2020, për të përfituar financim në certifikimin e prodhimit sipas standardit Global GAP. Thënë kështu, shumëkush prej jush nuk ka ndonjë interes të posaçëm. Por kujdes! Pse është i rëndësishëm ky lloj certifikimi? Si na e rrit sigurinë e prodhimeve që hamë? Dhe për më shumë pse është çelësi kryesor që edhe fermerët shqiptarë të shtojnë eksportet e tyre. Ilir Pilku, ekspert i agrobiznesit tha se Global GAP synon më shumë se thjesht certifikim; synon mbi të gjitha praktika më të sigurta dhe afatgjata për të gjitha prodhimet bujqësore.