Topiajt e shekujve XIII -XV ishin një nga familjet më të fuqishme aristokratike shqiptare, një degë e së cilës arriti të krijojë në Shqipërinë e Mesme, principatën e vet të pavarur me të njëjtin emër. Pinjollët e kësaj dege të familjes që mbante vetëm mbiemrin Topia i zgjeruan me shpejtësi pronat e tyre dhe i forcuan pozitat shoqërore e politike që në gjysmën e parë të shek. XIV. Një ndër të parët, Tanush Topia, si vasal i mbretit anzhuin të Napolit arriti të sundojë midis Matit e Shkumbinit dhe madje mori titullin “Kont” prej papës, mbretit Robert më 1338. Pas vdekjes së tij, trashëgimtar mbeti Karl Topia, me të cilin zotërimet e Topiajve njohën shtrirjen më të gjerë.