Vendimet e KAS për hapjen e kutive të votimit në disa zona mund të duken si një akt rutinë i procesit zgjedhor, por këtë verë politike që vijon të nxehet, lëvizjet e këtij institucioni po lexohen ndryshe: si pjesë e betejës së narrativave mes PD dhe PS. A i shërben ky numërim i dytë opozitës për të mbajtur gjallë kauzën e kontestimit të zgjedhjeve, apo mazhorancës për të shfaqur me prova kush realisht “ka futur duart në kuti”? Për PD, kërkesa për hapjen e kutive ka qenë një element kyç në ndërtimin e pretendimit se zgjedhjet e 2025-ës janë dëmtuar nga manipulimi dhe presioni mbi votuesit. Po ndërkohë kandidatë të saj kanë bërë edhe kërkesa individuale për hapjen e kutive siç është dhe doktor Ilir Alimehmeti, i cili nuk u mbështet nga partia e tij për të hapur kutitë e Tiranës. Në anën tjetër, PS e cila doli fituese në shumicën e qarqeve, ka interes që të tregojë se procesi i ankimimit jo vetëm që ekziston, por funksionon. Nëse nga numërimet e reja rezulton se pikërisht PD ose aleatët e saj kanë manipuluar në nivel lokal, kjo i jep PS-së një kundërargument të fortë: opozita që bërtet për manipulim, vetë ka qenë pjesë e deformimit të votës. Kujt i shërben ky numërim i dytë? A do të arrijë PD të përforcojë kauzën e saj për manipulim të zgjedhjeve, apo PS do të mbështesë narrativën e saj se kandidatët opozitarë futën duart në votat e njëri tjetrit?