Helikopteri Cougar dhe rreth 60 efektivë të Forcave të Armatosura u janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen e vatrave të zjarrit që kanë shkrumbuar një sipërfaqe me pishë e shkurre, në njësitë administrative Fan dhe Orosh të bashkisë Mirditë. Punonjësit e strukturave vendore, mjete zjarrfikëse dhe forcat operacionale janë përqëndruar në mbajtjen e zjarrit larg banesave në fshatrat Shëngjin e Petoq, të njësisë administrative Fan. Në ndihmë të këtyre forcave janë edhe zjarrfikës nga bashkitë e Tiranës e Kamzës me mjetet e tyre. Të tjera forca janë duke punuar për izolimin e zjarreve në 5 vatrat e tjera aktive në Kurbin, Kukës, Vlorë dhe Shkodër, ku situata është nën kontroll.