Të paktën katër persona humbën jetën nga një zjarr me përmasa të mëdha i cili ka rënë në një kompleks apartamentesh 14-katëshe në Valencia, në Spanjë. Blloku i pallateve përmban 138 banesa me 450 banorë. Flakët nisin fillimisht në katin e 4-të të pallatit dhe në vetëm 30 minuta përfshinë të gjithë godinën. Sipas të dhënave kanë mbetur të plagosur 13 persona, gjashtë prej të cilëve zjarrfikës të cilët u lënduan ndërsa shpëtonin një adoleshent e ndërsa 19 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Në momentin e rënies së zjarrit, një çift ka dalë në ballkon dhe kanë kërkuar ndihmë, ndërsa zjarrfikësit arritën t’i nxjerrin pas një reagimi të shpejtë. Lëvizja e zjarrfikësve shkaktoi edhe duartrokitje nga njerëzit që ndodheshin pranë godinës.