Brenda javës së parë të muajit maj pritet të hapen gjashtë kilometrat e lotit të parë të zgjerimit të autostradës Tiranë-Durrës. Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi dhe drejtori i ARRSH, Ami Kozeli inspektuan nga afër punimet, për të cilat thanë se ndodhen në fazën përfundimtare. “Brenda javës së parë të muajit maj ky lot i këtij segmenti do të hapet plotësisht. Ky aks ka rëndësinë e tij për lidhjen e portit të Durrësit me Morinën dhe për lidhjen mes Veriut me hyrjen në Tiranë por edhe sa i takon turizmit. Duhet të theksojmë që në këtë segment po punojmë me disa projekte të tjera si Bypassi i Tiranës dhe segmenti Kashar-Lekaj.” Ky segment parashikohej të hapej në muajin dhjetor, por sipas ministrit shkak të zvarritjen e punimeve janë bërë kushtet klimaterike. Sidoqoftë, sipas Karakaçit punimet janë brenda parashikimeve të kontratës.