Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, tha të mërkurën se situata e sigurisë në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme. Duke folur për Radio-Televizionin e Serbisë, Vuçeviç përsëriti akuzat e Beogradit zyrtar se fajtore për këtë situatë janë autoritetet në Kosovë. Ai i cilësoi vendimet e tyre si “të njëanshme, të paligjshme dhe jolegjitime”. Ai, po ashtu, tha se janë përcaktuar vijat e kuqe. “Ushtria e Serbisë është e gatshme të kryejë çdo detyrë, ndërsa, nga aspekti politik, Serbia e ka përcaktuar se cilat janë vijat e kuqe kur ajo gjendet në një situatë, në të cilën i kërcënohen interesat jetike kombëtare dhe shtetërore. Po flasim për - Zoti na ruajt - skenarë ku dikush vret serbë”, tha Vuçeviç.