Një eklips diellor i njohur edhe si “unaza e zjarrit”, do të shënojë eklipsin e parë të vitit 2026, por vetëm rreth 2% e popullsisë së botës do të mund ta shohë atë. Fenomeni ndodh “kur hëna kalon direkt midis Tokës dhe diellit, por hëna është shumë larg në orbitën e saj për të mbuluar plotësisht diskun e diellit”. Kjo rezulton në krijimin e një unaze të ndritshme të dritës së diellit që rrethon siluetën e errët të hënës, cka edhe i jep asaj emrin “unaza e zjarrit”. Nëse hëna mbulon plotësisht diellin, bëhet një eklips total. Një eklips diellor i pjesshëm ndodh kur hëna kalon midis diellit dhe Tokës, por dielli, hëna dhe Toka nuk janë të rreshtuara në mënyrë të përsosur, sipas NASA-s. Pamja më e mirë e unazës së zjarrit do të jetë nga një copë e Antarktidës, me një eklips të pjesshëm të dukshëm nga pjesa tjetër e kontinentit të akullt, si dhe nga pjesë të Afrikës dhe Amerikës së Jugut. Eklipset diellore unazore ndodhin çdo një deri në dy vjet, megjithatë shumë prej tyre nuk janë të dukshme nga pjesa më e madhe e globit. Do të ketë një tjetër eklips unazor më 6 shkurt 2027, sipas NASA-s, dhe ai do të jetë i dukshëm për sipërfaqe më të mëdha të Amerikës së Jugut dhe Afrikës.