Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka rikujtuar Iranit se i kanë mbetur vetëm 48 orë kohë për të arritur një marrëveshje ose për të hapur Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar se në të kundërt pasojat për Teheranin do të jenë të rënda. Në një reagim në Truth Social, ai paralajmëroi se koha po mbaron dhe se situata mund të përshkallëzohet ndjeshëm. Ky ultimatum vjen në një moment tensionesh të larta, pasi më herët Trump dha një afat 10-ditor, duke pezulluar përkohësisht sulmet ndaj objekteve energjetike iraniane. Por, të tilla paralajmërime janë refuzuar kategorikisht nga Irani, i cili ka theksuar se e vetmja marrëveshje që do të pranojë, është ajo që do t’i jepte fund përfundimisht luftës. Ndërkohë, zhvillimet në terren mbeten intensive. Një avion luftarak amerikan F-15 është rrëzuar mbi Iran, ku një pilot është shpëtuar, ndërsa kërkimet vijojnë për anëtarin tjetër të ekuipazhit. Trump ka minimizuar ndikimin e këtij incidenti, duke deklaruar se rrëzimi i avionëve nuk do të ndikojë në negociata dhe se situata duhet parë në kuadër të luftës.