Bashkimi Europian ka reaguar në lidhje me protestën e opozitës dhe trazirat e shkaktuara mbrëmjen e së shtunës në Tiranë. Reagimi ka ardhur përmes një deklarate të delegacionit të BE në Tiranë. BE thekson se e drejta për tubim paqësor është një shtyllë themelore e çdo shoqërie demokratike, por se ajo duhet të ushtrohet me përgjegjësi, në respekt të plotë të sundimit të ligjit dhe të sigurisë së të gjithë individëve. Në këtë kontekst, Delegacioni i BE-së shpreh shqetësim për aktet e fundit të dhunës në Tiranë, të cilat rrezikuan jetë njerëzish. Delegacioni i BE-së u bën thirrje aktorëve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje. ‘Ne mbështesim angazhimin konstruktiv në funksion të reformave të rëndësishme në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian’, thuhet në reagimin e delegacionit të BE në vendin tonë.