Gjykata e Posaçme ka pushuar hetimet e nisura nga SPAK për ish drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. Çështja ndaj Rrumbullakut, i cili po hetohej nga SPAK për shpërdorim detyre u pushua nga gjykata me kërkesë të prokurores së posaçme, Doloreza Musabelliu. Në kërkesën drejtuar gjykatës, Prokuroria e Posaçme tha se nuk u gjetën prova për kryerjen e veprës penale për të cilën u bë kallëzimi penal ndaj tij. Në nëntor të vitit të kaluar Rrumbullaku është pyetur për rreth një orë në Prokurorinë e Posaçme si person në dijeni për hetimin që kishte të bënte me transferimet e punonjësve të policisë. Hetimi kishte nisur më herët nga Prokuroria e Beratit, por dosja u transferua në SPAK për shkak të kompetencës. Bëhet fjalë për 20 transferime në radhët e uniformave blu që disa pretenduan se ishin të paligjshme.