Protestuesit që kërkonin lirimin e të burgosurve politikë në Azerbajxhan thanë se u sulmuan të enjten pasdite nga truprojat që mbronin Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev jashtë hotelit Ëaldorf Astoria në Pennsylvania Avenue të Uashingtonit, disa blloqe larg Shtëpisë së Bardhë. Rahim Yagublu, 27 vjeç, një shofer taksie, babai i të cilit është i burgosur në Azerbajxhan, tha se po protestonte jashtë hotelit të enjten herët pasdite kur truprojat e Aliyev filluan ta rrihnin, duke e goditur në nofull dhe duke e shkelmuar në stomak. Edhe një tjetër protestues, Adil Amrakhly, 35 vjeç, tha se u lëndua në këmbë ndërsa po përpiqej të shpëtonte nga truprojat dhe se të paktën edhe katër persona të tjerë u plagosën. Aliyev, i cili ka udhëhequr për dekada një shtypje autokratike ndaj disidentëve në Azerbajxhan, ishte në Uashington, së bashku me udhëheqës të tjerë dhe zyrtarë të lartë nga e gjithë bota, për takimin inaugurues të Bordit të Paqes të Presidentit Donald Trump. Një zëdhënës i policisë së Uashingtonit tha se pjesëtarë të divizionit të operacioneve speciale të departamentit dhe oficerët e Shërbimit Sekret të SHBA-së ishin në vendin e ngjarjes, "ku përfshiheshin edhe rojet e sigurisë së Azerbajxhanit". Ai nuk tha nëse policia kishte ndërhyrë apo nëse rojet në fjalë mbetën në Shtetet e Bashkuara. Çështja i ishte referuar Departamentit të Shtetit, tha ai.