Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndoqi nga ekrani i televizorit trazirat në Kongres më 6 janar 2021, dhe injoroi fëmijët dhe këshilltarët e tij të cilët “iu lutën” që të dënonte dhunën, u tha në një seancë dëgjimore të Komitetit të Kongresit që po heton sulmet e vitit të kaluar. Në seancën dëgjimore u tha se Trump nuk telefonoi forcat e rendit apo stafin e sigurisë kombëtare. Ai ishte i motivuar “nga dëshira egoiste për të qëndruar në pushtet”, pretendoi hetimi. Të enjten në mbrëmje, u tha se një ditë pas trazirave, Trump pohoi se nuk donte të pranonte publikisht se zgjedhjet kishin përfunduar.