Presidenti amerikan, Donald Trump prezantoi të enjten vonë shkallët e reja tarifore për dhjetëra partnerë tregtarë të Shteteve të Bashkuara. Ai tha se tarifat ndaj 69 vendeve do të hyjnë në fuqi më 7 gusht. Në vendimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë të enjten vonë thuhet se mallrat e çdo vendi partner tregtar që nuk përfshihen në aneksin e urdhrit, do të jenë subjekt i taksës prej 10 për qind bazuar në urdhrin ekzekutiv të prillit. Në këtë urdhër Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi goditen me taksë bazë prej 10 për qindësh. Sipas modifikimeve të fundit, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë goditur me tarifa më të larta: Maqedonia e Veriut 15 për qind, Bosnje-Hercegovina 30 për qind dhe Serbia 35 për qind. Në nivel botëror, vendet më të goditura nga tarifat janë Siria, Laosi dhe Mianmari me tarifa që shkojnë deri në 41 për qind. Afati i 7 gushtit nuk vlen vetëm për Kanadanë, pasi tarifa prej 35 për qind në mallrat e saj ka hyrë në fuqi menjëherë. Kryeministri kanadez, Mark Carney është shprehur i zhgënjyer, ndonëse autoritetet kanadeze kanë thënë se shumica e mallrave nuk preken nga vendimi, për shkak të marrëveshjes tregtare SHBA - Meksikë - Kanada. Trump e bëri këtë njoftim pak para se të skadonte afati 90-ditor që kishte vendosur në prill për pezullim të tarifave që kishte prezantuar atëherë, me qëllim ofrimin e hapësirës për të negociuar me partnerët tregtarë. Përmes këtyre masave, ai synon të transformojë sistemin tregtar botëror, të cilin e konsideron të padrejtë ndaj SHBA-së. Disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, kanë arritur marrëveshje tregtare. Administrata Trump ka thënë se pritet të arrihen edhe marrëveshje tjera tregtare në ditët në vijim.