Kryeministri Edi Rama bëri një skaner të plotë të problematikave të pushtetit vendor, gjatë mbledhjes me kryebashkiakët e majtë në Pallatin e Kongreseve. Sa i takon legalizimeve, Rama u shpreh se bashkitë duhet të hapin një zyrë të ndihmës juridike për Kadastrën. “Duhet patjetër që bashkitë të hapin një zyrë të ndihmës juridike për kadastrën. Ka shumë ankesa për kadastrën, por shumë prej tyre vijnë nga moskryerja e aplikimit në mënyrë të rregullt ligjore. Nuk ka asnjë problem që bashkitë të hapin një zyrë të ndihmës juridike enkas për shërbimin e kadastrës dhe legalizimeve. Është diçka që do të lehtësojë maksimalisht qytetarët në mënyrën e kuptimit sesi bëhet një legalizim. Këtë do ta ndjekë ministri i Pushtetit Vendor” Rama pranoi mangësitë në logjistikë që lidhen me zjarrfikësit, e që kanë qënë më evidente gjatë sezonit veror, ku qindra hekratë tokë janë përfshirë nga flakët e zjarrit.