Tre bashki të vendit prej muajit mars nuk kanë kryetar. Topi ka ngelur në fushën e kryeministrisë, për t’i hapur rrugën dekretimit të datës së zgjedhjeve të pjesshme lokale nga presidenti i republikës. Ishte 11 mars, minutat e fundit para zyrtarizimit të listave të kandidatëve për deputet, momenti kur Ervin Demo dha dorëheqjen si kryetar i Bashkisë së Beratit. Brenda pak orëve prefekti i qarkut njoftoi këshillin e ministrave për vakancën dhe të nesërmen sekretari i përgjithshëm, Ëngjëll Agaçi firmosi shkresën zyrtare për të vënë në dijeni komisionin qëndror të zgjedhjeve. E njëjta procedurë brenda pak orësh u ndoq me kryetarin e Tepelenës, Tërmet Peçi dhe me Agron Malajn e Matit, duke i hapur rrugë kandidimit të tyre në listat e Partisë Socialiste.