Dy operacione policore me qëllim goditjen e transportit të paligjshëm të emigrantëve ccuan në pranga tre persona, dy në Tiranë dhe një tjetër në Shkodër, ndërsa dy shtetas u shpallën në kërkim. Në kryeqytet u arrestuan babë e birë Besnik dhe Mariglen Metallari dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë, të dyshuiar për përfshirjen e tyre në një skemë të organizuar të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm, kryesisht shtetas egjiptianë. Dy të arrestuarit kanë qenë në vëzhgim prej disa kohësh nga policia e antitrafiqeve Tiranë, ndërsa aksioni për kapjen e tyre u zhvillua pas grumbullimit të disa provave që faktuan përfshirjen e tyre në këtë ilegalitet. Grupi hetimor pyeti edhe emigranët e paligjshëm, të cilët kanë rrëfyer mënyrën se si funksiononte rrjeti si dhe pagesën që kanë kryer ata për tu transportuar nga Egjipti drejt Shqipërisë, për të kaluar më pas në vende të tjera. Sipas dëshmive paraprake, ata kanë thënë që shumat e paguara varionin nga 7 deri në 10 mijë euro për person për të kaluar nga nga Egjipti në Greqi, ku më pas ndihmoheshin nga trafikantë të tjerë për të hyrë në Shqipëri. Si destinacion final emigrantët kishin shtetin italian. Ndërsa në Shkodër u arrestua 29 vjecdari Oltion Ceca, pasi u kap në flagrancë duke transportuar 3 emigrantë të paligjshëm nga Sudani, të cilët synonin të kalonin kufirin me Malin e Zi. Ceca ndihmonte emigrantë nga vendet e treta që hynin ilegalisht në Shqipëri, duke i transportuar drejt kufirit verior kundrejt një pagese prej 500 eurosh për person. Policia sekuestroi automjetin e tij në cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj 29 vjeccarit kishte më herët një masë sigurie arrest në burg të vendosur nga gjykata e tiranës.