Si kundërpërgjigje ndaj akuzave të hedhura të shtunën se Prokurori Gjergji Ceka ka keqpërdorur ligjin dhe detyrën duke arrestuar avokatin Ulian Barjami vetëm se ky i fundit i kundërshtoi provat në sallën e gjyqit, nga gjykata dhe prokuroria e Elbasanit u shpërnda një audio-regjistrim nga seanca. Në audion prej pak sekondash dëgjohej avokati Barjami teksa deklaronte se do merrej personalisht me prokurorin dhe oficerët e policisë gjyqësore të angazhuar te procesverbali i provave të paraqitura kundër klientit të tij, Maksim Lika, njohur edhe me emrin Suçi.