Një ministër dhe katër zëvendësministra të Qeverisë greke kanë dorëzuar dorëheqjet pas skandalit të abuzimit me fondet e Bashkimit Europian. Ministri i Emigracionit dhe çështjeve të azilit, Makis Voridis dhe zëvendësministrat e jashtëm, të zhvillimit rural dhe ushqimit dhe ai për qeverisjen digjitale paraqitën dorëheqjet, që siç tha një zëdhënës i qeverisë greke u pranuan nga Kryeministri, Kiriakos Mitsotakis. Skandali i abuzimit me subvencionet që Bashkimi Europian ka dhënë ndër vite për mbështetjen e bujqësisë greke shpërtheu pas vendimit të Komisionit Europian për të gjobitur me 392 milionë euro Athinën.