Kompania Danone njoftoi se ka vendosur që të tërhiqë nga tregu qumështin e bebes, Amptamil 800G Advanced. Vendimi është njoftuar nga vetë kompania franceze. Arsyeja e tërheqjes nga tregu lidhet me dyshimet se një nga linjat e prodhimit të këtij produkti, mund të përmbajë mikroorganizma, apo baktere. Ky produkt shitet edhe në tregun shqiptar, ku Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informoi të enjten publikun për të mos e blerë, apo për ta rikthyer atë në dyqanet, apo farmacitë që e kanë blerë. Një prej kompanive që tregon këtë produkt në Shqipëri është edhe kompania Rossman Lala. Kjo e fundit, në një sqarim publik informon qytetarët se ka tërhequr të gjithë produktin nga raftet e rrjetit të dyqaneve të saj në Shqipëri.