PD zhvilloi këtë të martë një tryezë diskutimi për Reformën Territoriale. Në fjalën e tij, kryedemokrati Berisha tha se reforma e fundit territoriale është bërë për shpopullimin e vendit dhe për interesa të partisë së krimit, duke sulmuar kështu Partinë Socialiste. Gjatë mbledhjes së hapur, Berisha po ashtu bëri të ditur propozimet e tij për këtë reformë. Standardi për Shqipërinë malore, kodrinore. Duhet të kthejmë komunat në të gjitha zonat kodrinore e malore ku ekzistojnë një numër i caktuar banorësh. Unë nuk mund të them aty ku nuk ka banorë, se ajo është proces i gjatë i ripopullimit. Por duhet të rikthehen të gjitha zonat kodrinore e malore në të cilat ka 1500 ose 1300 banorë. Dy, duhet të përcaktohet numri i banorëve për bashkitë në qytezat apo qytetet satelite të qyteteve të mëdha. Ne i qëndrojmë rajoneve të ngritura sipas modelit të vendeve anëtare të BE-së. Berisha e lidhi këtë iniciativë me nevojën për zhvillim të qëndrueshëm rajonal sipas standardeve europiane.