Pas dy muajsh, deputetët u rikthyen në tryezën e përbashkët të komisionit të reformës zgjedhore, ku si punë të parë kanë rregullimin e financimeve të partive politike. Socialisti Damian Gjiknuri nënvizoi rëndësinë që ndryshimet në kod elektoral të jenë konsensuale, pavarësisht se Partia Socialiste i ka votat për të ndërmarrë ndryshime e vetme, teksa bashkëkryetari Bylykbashi kërkoi që mos përsëriten skenarët e vjetër që mund të çojnë të dështimin reformës zgjedhore. Gjatë diskutimeve, u konstatuan nga ligjvënësit problematika në votën e diasporës, financimin e partive politike dhe procesin e numërimit. Gjiknuri: “Detyrat që na ka dhënë Komisioni Evropian duhet të plotësohen. Pavarësisht se drafti i partive politike, kërkon 71 vota, mazhornca e ka thënë në fjalën e saj se këtë ligj, duam ta trajtojmë në mënyrë konsensuale. Do të bëhet transparenca për fondet për të gjitha partitë. Përtej tensioneve politike, kjo gjë është e nevojshme, pasi do të ketë garë mes partive.”