Numri i turistëve të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion për të pushuar gjatë muajit korrik ka rënë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shifrat e Institutit të Statistikave tregojnë se numri i pushuesve të huaj ka rënë me 3.3 për qind krahasuar me muajin korrik të vitit të kaluar. Më shumë se një milion e 800 mijë të huaj kanë kaluar kufirin e Shqipërisë, një pjesë e tyre si udhëtarë tranzit e të tjerë për trajtime shëndetësore, biznes apo qëllime fetare. Kështu, rreth një milionë e 676 mijë të huaj kanë ardhur për të pushuar, kryesisht në jug të vendit.