Partia Demokratike dorëzoi në mesnatë listat e kandidatëve të saj me të cilët do të ballafaqohet me Partinë Socialiste por edhe me forcat e tjera politike më 11 maj në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Listat e hartuara nga kryedemokrati Sali Berisha, sollën pakënaqësi nga ata që u konsideruan si fitues të primareve, nisur nga Hysen Kadiu i Kavajës, i cili doli i pari në rang qarku, por nuk arriti të siguronte një vend të sigurte në Qarkun e Tiranës, pasi vetëm aleatët i kushtuan 4 vende Berishës. Pakënaqësi pati edhe në kampin e deputetëve aktualë, ku me tu vënë në dijeni për zgjedhjen e ish-kryeministrit, nisën kundërshtimet dhe përpjekjet për tu larguar drejt forcave të tjera politike. Rasti konkret ishte ai i deputetit Dashnor Sula, i cili u largua nga PD për në listën e hapur të Adriatik Lapajt me koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet. Por krahas tij, nuk pranuan të ishin në listë as deputetet Ilda Dhori e Oriela Nebiaj, edhe pasi emrat e tyre u lexuan nga Flamur Noka si pjesë e listës së hapur të Fierit.