Ligjet financiare që shoqërojnë projektbuxhetin e vitit të ardhshëm nuk janë depozituar zyrtarisht në Kuvend, por në draftet që po shqyrton Ministria e Financave parashikohen një sërë ndryshimesh në paketën fiskale. Ndryshimet nuk prekin në themel nivelin e taksave apo detyrimeve, por synojnë të reduktojnë përdorimin e parave kesh në ekonomi, si pjesë e programit qeverisës dhe premtimit elektoral të Edi Ramës për të zhdukur transaksionet në dorë brenda vitit 2030. Një ndër masat synon dekurajimin e pagesave kesh mes bizneseve. Sipas draftit të Ministrisë së Financave, në 2026 do të ulet kufiri i pagesave në dorë nga 150 mijë në 100 mijë lekë, teksa vendoset për herë të parë kufi edhe për individët, që nuk mund të kryejnë pagesa cash mbi shumën e 500 mijë lekëve.