Përkthimi i rekomandimeve të ODIHR në ndryshime në kod elektoral, ka mbetur peng i përplasjeve politike. Në ndërkohë që komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore nuk ka prodhuar ende asnjë produkt, kreun i Prezencës së OSBE në Tiranë, Michel Tarran bëri thirrje që palët politike të avancojnë punimet në këtë drejtim. “Rekomandimet e ODIHR janë për të përmirësuar ligjin e zgjedhjeve, dhe këtu inkurajojmë punën e komisionit për reformën zgjedhore. Shpresojmë shpejt të fillojë punën e tij. Puna e tij është shumë e rëndësishme, sepse ka disa probleme të lidhura me ligjin zgjedhor që sipas nesh nuk është akoma aty ku duhet të jetë. Ky është rekomandim i vazhdueshëm i misionit të ODIHR. Më duket se kësaj here mesazhin e ODIHR e kanë lexuar dhe partitë politike. Sa i përket debatit politik, ne nuk përfshihemi. Por të gjitha partitë politike janë dakord që ligji zgjedhor duhet të ndryshojë.”