Kuvendi mbrojti para Gjykatës Kushtetuese tatimin e profesionistëve të lirë me arsyetimin se ligji ka hyrë në fuqi dhe se efektet financiare të tij janë parashikuar në buxhetin e këtij viti në Qeveri. Ligji ka hyrë në fuqi që prej 1 janarit të këtij viti, ndërsa më 31 mars ka qenë afati i fundit për pagimin e këstit të parë të tatimit të profesionistëve të lirë. Por, ligji është kundërshtuar si nga grupet e interesit, ashtu edhe nga opozita. Partia Demokratike dhe tre forume të profesionistëve të lirë kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen e ligjit si antikushtetues.