Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Tiranë njofton se ka përmbyllur procesin e gjenerimit dhe shpërndarjes së njoftimeve për detyrimet për vitin tatimor 2026. Ky proces përfshin si subjektet tregtarë për detyrimet e biznesit, ashtu edhe individët që janë pronarë të njësive tregtare për detyrimet e taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Për të lehtësuar aksesin dhe transparencën, Bashkia thotë se njoftimet janë vënë në dispozicion në mënyrë elektronike përmes platformës “e-Albania”, ku çdo taksapagues i kryeqytetit mund të konsultojë detyrimin përkatës në profilin e tij. Njëkohësisht, njoftimet po ashtu janë dërguar dhe me postë në adresat fizike të vetëdeklaruara nga taksapaguesit.