Pas takimit me shoqatën e transportit urban dhe interurban, ministri Enea Karakaçi deklaroi se po shqyrtohet mundësia e subvencionimit për të parandaluar shtrenjtimin e biletës të transportit për qytetarët. Kjo masë mbrojtëse u zbatua edhe gjatë krizës së vitit 2022, periudhë kur subvencionimi për naftën ishte në masën 100 lekë për litër. Karakaçi: “Jo më larg se para dy orësh, bashkë me ministren e ekonomisë dhe kryetaren e bashkisë së Tiranës ishim në një takim me shoqatat e transportit urban dhe interurban. Patjetër që situata e krizës së hidrokarburave është një situatë që po e ndjekim me kujdes. Gjatë 2022 janë marrë akte subvencioni sa i takon shoqatave të transportit urban dhe interurban, një element po diskutohet sërish, megjithëse jemi ende në fillim, kur e kemi miratuar në vitin 2022 e kemi miratuar pasi çmimi ishte rritur në nivel shumë më të lartë sec është aktualisht.” Pas mbledhjes së qeverisë, ministri Demo u pyet lidhur me skenarin më të preferuar nga socialistët për reformën territoriale, mes katër mundësive të prezantuara në mbledhjen e zgjeruar të qeverisë dhe grupit parlamentar.