Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste me ministrat është shoqëruar me tensione, duke prodhuar një përplasje mes ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili dhe ish-ministres Elisa Spiropali. Sipas burimeve të Top Channel, debati ka ndodhur gjatë diskutimeve për strategjinë e komunikimit. Gjatë fjalës së saj, Ismaili është ndërprerë nga një reagim i Spiropalit, e cila ka nisur të qeshë, gjë që është konsideruar si e pavend nga ministrja. Kjo e fundit i është drejtuar me tone kritike, duke i thënë të mos nënqeshte, ndërsa ndërsa ka shtuar se Spiropali duhej të kërkonte falje. Situata është tensionuar më tej me ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama, i cili i është drejtuar Spiropalit duke i kërkuar të mos ndërhynte gjatë fjalës së ministres. Debati ka vijuar, me Ismailin që ka këmbëngulur në kërkesën për ndjesë. Në kulmin e përplasjes, Rama ka paralajmëruar Spiropalin që të mos e provokonte, duke lënë të kuptohet edhe mundësinë e përjashtimit nga mbledhja. Situata është qetësuar më pas nga ndërhyrja e Erion Braçes, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të debatit.