Në dëshminë e tij të parë përpara togave të zeza, Dritan Rexhepi mohoi jo vetëm që në burgun e Ekuadorit nuk ka patur asnjëherë celular, por kategorikisht edhe përdorimin e aplikacionit Sky Ecc. Pas disa pyetjeve te drejtuara nga dy prokurorët e posaçëm Behar Dibra dhe Elida Kaçkini lidhur me përdorimin e celularit në burg si dhe për komunikime në aplikacionin e kriptuar, Rexhepi mbajti qëndrim mohues. Por, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i organit akuzues. Elida Kaçkini paraqiti si provë të re në procesin gjyqsor komunikimet në aplikacionin Sky Ecc mes Dritan Rexhepit dhe Altin Hajrit. Sipas prokurores, kjo provë e re ka ardhur nga autoritetet franceze dhe bisedat mes tyre i përkasin periudhës së vitit 2020, që përkon edhe me zhdukjen dhe rrëmbimin e Jan Prengës.