Partia Demokratike ka denoncuar publikisht atë që e cilëson si skandalin më të fundit me koncesionin e laboratorëve, i cili sipas saj, megjithëse ka kaluar nën administrimin e shtetit, vijon të krijojë probleme për qytetarët. Në një konferencë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, deputeti i PD-së, Bardh Spahia, deklaroi se qytetarët po hasin vështirësi për të kryer analizat laboratorike, duke e cilësuar situatën shqetësuese. Për këtë arsye, opozita ka kërkuar zhvillimin e një interpelance në Parlament me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, e cila javën e kaluar pranoi se ka vështirësi në financimin e kryerjes së analizave në QSUT pas datës 20 të çdo muaji.