Ndërtimet në zonat e mbrojtura, ato muzeale, apo parqe natyrore u sinjalizuan në dhjetëra raste te Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit përgjatë viteve 2020-2024, por mungesa e koordinimit mes autoriteteve dështoi të parandalojë këto ndërtime. Në këtë përfundim ka dalë një raport auditues i Kontrollit të Lartë të Shtetit, që thotë se delegimi i denoncimeve për ndërtime në zonat e mbrojtura nga drejtoritë rajonale të IKMT, apo institucione të tjera me arsyetimin e mungesës së kompetencës ka bërë që të cenohet mbrojtja e territorit. Në rastet kur është konstatuar sipas KLSH se ka pasur shkelje të ligjit dhe është kërkuar prishja e ndërtimit, kjo masë në shumë raste është zvarritur.