Një teknologji sekrete e quajtur “Ghost Murmur” është përdorur nga CIA për të lokalizuar dhe shpëtuar pilotin amerikan që u rrëzua në jug të Iranit, në mes të tensioneve të luftës. Piloti, i identifikuar si “Dude 44 Bravo”, qëndroi i humbur për dy ditë në territor armiqësor, ndërsa kërkohej nga forcat iraniane. Por, avantazhin në gjetjen e tij përpara armikut, SHBA-së ia dha sistemi i avancuar që përdori. Teknologjia e përdorur për herë të parë nga CIA arrin të zbulojë gjurmën elektromagnetike të rrahjeve të zemrës së njeriut, duke përdorur edhe inteligjencë artificiale, për të filtruar sinjalin nga ambienti. Kjo i lejoi ekipet amerikane të identifikonin vendndodhjen e saktë të pilotit, edhe pse ai ndodhej në një zonë të izoluar malore.