Një provë të vogël klinike me 18 pacientë, që morën për rreth gjashtë muaj ilaçin Dostarlimab, ka zgjuar shpresa të mëdha tek mjekët dhe pacientët e sëmurë me kancer. Sipas Dr Luis Diaz nga Qendra e Kancerit "Memorial Sloan Kettering" në Nju-Jork tek të 18 pacientët tumorët u zhdukën përfundimisht. Ai tha se kjo ishte "hera e parë në historinë e kancerit". Edhe pse testi sa i përket numrit të pacientëve ishte shumë i vogël, ai ka rritur shpresat se kanceri mund të largohet nga trupi i një pacienti pa nevojën e kimioterapisë ose kirurgjisë.