Një pus nafte ka shpërthyer në rafineritë e Ballshit, si pasojë punëtori i firmës private të naftës ka pësuar djegie të shkallës së rëndë dhe është dërguar në spitalin e Fierit. Burimet zyrtare bëjnë me dije se rreth orës 07:30 në vendin e quajtur “Qafa e Kashit”, gjatë vijimit të procesit të punës, në tubacionin e furnizimit ka marrë flakë në sipërfaqe depoja e dekantimit të naftës. Shtetasi Viktor Balla, 51 vjeç, ka pësuar djegie në 40 për qind të trupit dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në reanimacionin e Spitalit të Fierit. Ndërkohë autoritetet policore ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet që sollën rënien e zjarrit dhe dëmtimin e 51 vjeçarit në depon e dekantimit të naftës.