Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një restorant në qendër të Thethit në orët e para të mëngjesit të së enjtes, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe turistëve të shumtë që ndodheshin në zonë. Flakët kanë shpërthyer rreth orës 02:00 pas mesnate dhe janë konstatuar fillimisht nga familjarët dhe fqinjët, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë për të penguar përhapjen e zjarrit në ndërtesat përreth, veçanërisht në bujtinën ngjitur. Restoranti është shkatërruar plotësisht. Për të shmangur rrezikun ndaj jetës së njerëzve, është bërë evakuimi i menjëhershëm i dhjetëra turistëve të akomoduar në bujtinën ngjitur. Në vendngjarje kanë mbërritur policia dhe grupi hetimor. Pronari i restorantit thotë se vetëm ekspertiza do të përcaktojë nëse zjarri është shkaktuar nga një defekt elektrik apo nëse ka dyshime për zjarrvënie të qëllimshme.