Pezullimi i aktiviteteve të Kuvendit, i vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 5 shtator përfundon këtë të martë, teksa paqartësitë se si do të vijohet më tej në rrugën e vështirë të formimit të Qeverisë së re vijojnë ende. Masa e pezullimit, e dyta pas asaj të vendosur në korrik, u ndërmor pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe, që kontestoi mënyrën e konstituimit të Kuvendit dhe mosvotimin e kandidatit të saj në postin e nënkryetarit të Kuvendit. Lista e konsideron të paplotësuar konstituimin e Kuvendit përsa kohë nënkryetari që i takon pakicës serbe nuk është zgjedhur ende.