Policia e Tiranës njoftoi arrestimin e një 50-vjeçari, i cili akuzohet për tentativë vrasje në dëm të një 38-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së martës në një lokal në rrugën Myslym Keta në kryeqytet. Autori është paraqitur me armën e zjarrit në brez, një pistoletë me mulli, ku pas debatit me 38 vjeçarin e ka nxjerrë atë nga brezi dhe e ka kanosur. Shërbimet e komisariatit nr.4 thonë se menjëherë pas marrjes së informacionit për këtë ngjarje kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë. Si rezultat u arrestua 50-vjeçari me inicialet A.V., i cili dyshohet se ka kërcënuar me vrasje 38-vjeçarin. Policia nuk jep detaje në lidhje me motivet e ngjarjes, por dyshohet se shkak është bërë një borxh prej 100 eurosh që viktima i kishte autorit të sulmit.