Një ditë pas asamblesë kombëtare të Partisë Socialiste, Edi Rama mblodhi në seli drejtuesit politikë të qarqeve dhe socialistët që janë deleguar në krye të njësive administrative në Tiranë. Një pjesë e drejtuesve të rinj të qarqeve nuk vijnë nga strukturat e partisë dhe nuk janë sprovuar në drejtimin e qarqeve. Pak ditë pasi u ngjitën në kabinet qeveritar: Ermal Nufi do duhet të kontribuojë edhe për partinë në Lezhë, ndërsa Enea Karakaçi në Shkodër. Po ashtu edhe deputeti Erjon Malaj merr për herë të parë drejtimin politik të Qarkut të Kukësit, pas largimit të Eduard Shalsit. Në takimin e parë me skuadrën e re të drejtuesve politikë, porosia e Ramës ka qenë që të familjarizohen sa më parë me strukturat dhe të nisin punën për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm. Sfidë mbetet Shkodra, bastion historik i djathtë që për herë të parë ndryshoi kah nën drejtimin politik të Elisa Spiropalit dhe kandidaturën e Benet Becit. Të dyja këto figura u hoqën nga drejtimi i qarqeve dhe tashmë mbetet për t’u parë rezultati që Enea Karakaçi mund të sjellë në terren për partinë. Edhe në Kukës është kërkuar një hapje e partisë dhe rezultate më të larta. Analiza e detajuar për secilin nga qarqet që u shpalos në asamblenë kombëtare do të shërbeje si baza kryesore nga ku do të duhet të nisin punën drejtuesit e rinj politik të qarqeve.